“Zhvillimi nuk është vetëm numra dhe fitime; është një akt krijimi që zgjeron identitetet, respekton traditën dhe hap horizonte të reja,”
Gentjan Sula, një sipërmarës vizionar dhe ambasador i diversitetit kulturor të Ballkanit.
Gentjan Sula , një nga sipërmarësit më inovativë në Ballkan, kombinon trashëgiminë kulturore të rajonit me strategjinë bashkëkohore të biznesit. Në intervistën e dhënë për Fortune Greece, me rastin e misionit të parë tregtar të Shoqatës Industriale, Tregtare dhe Profesionale Greko-Shqiptare në Shqipëri, ai thekson se si kultura ballkanike – një mozaik identitetesh dhe diversiteti – mund të shndërrohet në një avantazh strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm. Me një prani të fuqishme në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe një ekip prej pothuajse 1,000 personash, z. Sula ndan parimet dhe vlerat që udhëheqin projektet e tij: dashuri, identitet dhe respekt për traditën.
Z. Sula, keni krijuar një sukses të vërtetë në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke zgjeruar ekspertizën dhe strategjitë tuaja në mënyrë mbresëlënëse gjatë dekadave të fundit. Ju kombinoni materiale të thjeshta me dizajn të zgjuar dhe shpesh krijoni stile unike. Cili është sekreti i suksesit tuaj?
“Në mjedisin e sotëm global ekonomik dhe sociologjik, dilema e balancimit mes vlerave shpirtërore dhe materiale është e përbashkët për të gjithë. Nga vendi im i vogël ballkanik, i cili përfaqëson bazën e kuptimit tim për këto sfida, gjithçka duket njëkohësisht e ndërlikuar dhe e thjeshtë. Ballkani, përmes ndryshimeve të vazhdueshme, ka zhvilluar atë që shpesh quhet ‘naivitet ballkanik’ – një qasje filozofike ndaj sfidave të kohës sonë. Identiteti dhe dashuria kanë qenë shtyllat që kanë udhëhequr përballjen me këto sfida. Kuptimi i thjeshtë, por thelbësor, trashëgimi nga paraardhësit e mi ballkanas, ka formësuar jetën time krijuese dhe karrierën time profesionale.”
Besoj se edhe produktet më të thjeshta duhet të përshijnë “vlera konceptuale dhe filozofike”, të kenë një identitet dhe të frymëzohen nga dashuria. Ashtu si nënat ballkanase, të cilat me kujdes dhe unikitet krijonin byrekun më të mirë për familjet e tyre, kështu edhe unë e zbatoj këtë filozofi në ndërtimin e shtëpive të mia. Ideja fillestare për shtëpi moderne minimaliste ishte interesante, por çmimet e larta i bënin ato të paarritshme për komunitetin tim. Kështu, iu drejtova një qasjeje të re: duke kombinuar dashurinë dhe identitetin, krijova shtëpi të bazuara në teknologji lokale për të qenë ekonomikisht të përballueshme. Çdo shtëpi është unike në dizajn, pasqyron identitetin emocional lokal dhe bëhet një objekt admirimi nga familjet që jetojnë në të.
- Zhvillimi: Shifra apo vlera?
Zhvillimi shpesh vë përparësi tek numrat, në kurriz të etikës. Për mua, etika e krijimit të vlerës konceptuale dhe emocionale është po aq e rëndësishme sa vlera ekonomike. Zhvillimi nuk duhet të shkatërrojë, por të nxjerrë në pah dhe të nderojë vlerat tradicionale. Zhvillimet e reja urbane
nuk duhet të jenë të paidentitet dhe monotone, të dizajnuara ekskluzivisht për estetikë. Shtëpitë e mia ofrojnë hapësira që respektojnë familjen, forcojnë komunitetin dhe promovojnë ndërveprimin njerëzor.
- Filozofia e ndërtimit
Lagjet e mia janë projektuar me fokus komunitetin. Distancat maten me hapa, jo me metra, dhe çdo shtëpi lidhet me një pemë, simbol i lidhjes dhe zhvillimit. Parket mirëpresin kafshë dhe peshq, ndërsa përdorim strehë qeramike për zogjtë në vend të repelentëve kimikë për insektet. Këto dizajne jo vetëm që mbrojnë natyrën, por gjithashtu krijojnë hapësira ku familjet dhe çiftet mund të shijojnë momente të bukura.
Në projektin tim Kodra e Diellit 2, shtëpitë quhen “Veranda”, dhe filozofia ime fokusohet te përvoja e jetës që ato ofrojnë, përtej thjesht shitjes së banesave. Kjo qasje siguron që çdo shtëpi të mos jetë vetëm një produkt, por një përmbledhje identiteti, komuniteti dhe emocionesh.
- Sfida e ruajtjes së talentit
Ju ruani një ekip të përkushtuar prej gati 1,000 personash. Sa e vështirë është të gjeni dhe të mbani talentet në sektorin e ndërtimit?
Ruajtja e një ekipi prej gati 1,000 personash në sektorin e ndërtimit është një sfidë e madhe, veçanërisht në një vend ballkanik. Që në fillim, strategjia jonë ishte krijimi i një kompanie të bazuar te forca punëtore, inxhinierët dhe projektuesit, në vend që të mbështeteshim te nënkontraktorët. Ky model na ndihmoi të ndërtonim një bazë të qëndrueshme dhe të siguronim cilësi të lartë.
Angazhimi i një numri të madh punonjësish kërkon lidership të fortë dhe një vlerësim të thellë për kontributin e secilit. Me kalimin e viteve, kemi krijuar një mjedis ku punonjësit ndihen të vlerësuar dhe pjesë e një familjeje më të madhe. Njohja e punës së tyre është po aq e rëndësishme sa edhe paga. Ky model ka rezultuar efektiv dhe na ka lejuar të rritemi pavarësisht sfidave.
Megjithatë, sot, ruajtja e fuqisë punëtore është më e vështirë se kurrë, kryesisht për shkak të krizës në tregun e punës, veçanërisht në vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Pandemia COVID-19 e përkeqësoi situatën, pasi në këto vende rritja e kërkesës për punë ktheu fuqinë punëtore në një kapital politik dhe ekonomik. Ky fenomen ndikon si te vendet që tërheqin punëtorë, ashtu edhe te ato që i humbasin ata, duke destabilizuar shoqëritë.
- Momente kyçe dhe plane të së ardhmes
Vendet ballkanike, si Shqipëria dhe Kosova, janë veçanërisht të rrezikuara nga disa zhvillime aktuale. Gjithashtu, Greqia përballet me sfida të ngjashme. Në Athinë, për shembull, kostoja e punësimit të profesionistëve në disa sektorë është më e lartë madje edhe se në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ndodh sepse vendi nuk arrin të prodhojë një fuqi punëtore të mjaftueshme dhe të
kualifikuar përmes arsimit dhe tregut lokal, duke u detyruar të “blejë” këtë energji nga Europa Perëndimore.
Kjo situatë nuk përfaqëson një zhvillim të qëndrueshëm. Ndërsa shoqëritë tona fitojnë klientë, ato humbin krijimtari dhe produktivitet. Në planin afatgjatë, kjo dëmton ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shoqëror, që është thelbësor për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e një Europe të bashkuar. Nëse kjo prirje vazhdon, ekonomitë më të vogla rrezikojnë të shndërrohen në shoqëri sezonale që nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbime themelore, si arsim dhe shëndetësi. Kjo mund të çojë në humbjen e diversitetit kulturor unik që përben bazën e një Europe të qëndrueshme.
- Momente kyçe dhe vendime të vështira
Në rrugëtimin tuaj në botën e biznesit keni kaluar nëpër faza të ndryshme. Cilat do t'i veçonit si momente, ngjarje dhe vendime kyçe?
Në rrugëtimin tim në botën e biznesit, kam kaluar nëpër shumë faza, me disa prej tyre që veçohen si vendimtare. Kur shqyrtojmë rrugën tipike të një kompanie – nga fillimi dhe pjekuria deri te zgjerimi rajonal dhe ndërkombëtarizimi – shpesh dalin në pah tregime komplekse dhe personale.
Një nga momentet më të vështira për mua ishte lufta emocionale për të dhënë përparësi mbijetesës së familjes sime të re kundrejt pasionit tim për fizikën teorike. Edhe pse përfundova studimet pasuniversitare në këtë fushë me rezultate të shkëlqyera, u detyrova të ndryshoj drejtim. Ëndrra ime për të bërë fizikant teorik ishte e rrënjosur thellë brenda meje, dhe ndryshimi i drejtimit nuk ishte i lehtë. Edhe sot, gjej ngushëllim në librat e fizikës teorike, të cilat janë burim frymëzimi për mua.
Viti 1997 ishte një vit vendimtar. Prioriteti im ishte mbrojtja e familjes dhe biznesit tim nga paqëndrueshmëría e shkaktuar nga kolapsi i shtetit. Njëkohësisht, u përballa me korrupsionin dhe mora vendimin e vështirë për të ruajtur integritetin tim, edhe nëse kjo nënkuptonte humbjen e mundësive të biznesit. Ky qëndrim më shtyu të përqendrohem te ndërkombëtarizimi, i cili forcoi besueshmërínë time dhe i dha vlerë të shtuar parimeve të mia.
Për më tepër, ndërtimi i besimit në tregjet ndërkombëtare, shpesh në mjedise që përballen me racizëm dhe paragjykime, ishte një nga sfidat më të mëdha për mua. Në çdo hap të këtij udhëtimi, më kanë shoqëruar njerëz që më kanë besuar dhe kanë punuar së bashku me mua, duke i dhënë vlerë reale përpjekjeve dhe vendimeve tona.
- Eventi dhe bashkëpunimet
Së fundmi, organizuat një event të suksesshëm dypalësh biznesi në Art Hotel në Tiranë, me pjesëmarrjen e biznesmenëve të shquar shqiptarë dhe grekë. A kishte momente të veçanta që ju mbetën në mendje apo përfundime kryesore që nxorët?
Ekziston një ngarkesë e fortë emocionale kur zgjidhjet gjenden kaq afër atdheut dhe promovojnë sipërmarrjen e ndërsjellë. Është veçanërisht e rëndësishme të ndjesh se "gjuha" e interesave biznesore mund të lidhet kaq ngushtë me përputhshmërëní emocionale që ndajmë si dy kombe, me rrënjë të përbashkëta gjeografike, historike dhe kulturore. Kur sipërmarrja bëhet një zgjatim i këtyre lidhjeve gjeografike dhe historike, atëherë potenciali për zhvillim duket me të vërtetë i jashtëzakonshëm.
Kjo harmoni krijon mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim, duke forcuar marrëdhëniet midis komuniteteve dhe duke kontribuar në një të ardhme më të ndritur për të dy vendet.
Arkitektura në Ballkan kombinon standardet ndërkombëtare me elementet lokale, duke krijuar ndërtime unike dhe plot gjallëri që pasqyrojnë diversitetin historik të rajonit.
- Këshilla për investitorët grekë
A keni ndonjë këshillë për sipërmarrësit grekë që po shqyrtojnë investime dhe zgjerim në Shqipëri?
Kur sipërmarrësit grekë shqyrtojnë zgjerimin dhe investimet në Shqipëri, është e rëndësishme të theksojnë lidhjet kulturore dhe shpirtërore që bashkojnë të dy vendet. Në vend që të përqendrohen në rezultatet e menjëhershme, ata duhet të synojnë krijimin e produkteve dhe shërimeve që i përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të tregut lokal. Edhe pse tregu shqiptar nuk është i madh, ai ofron mundësi të shkëlqyera për inovacion dhe krijimtari, duke kontribuar në mirëqenien e brezave të ardhshëm.
Respekti për tregun lokal është thelbësor, sepse neglizhimi i tij mund të dëmtojë identitetin e të dy tregjeve, duke kufizuar krijimtarinë e të rinjve. Shqipëria është mikpritëse ndaj bizneseve greke, ashtu si edhe Greqia ndaj shqiptarëve. Prania në këto tregje nuk është thjesht një zgjedhje biznesi, por një strategji e domosdoshme për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
Zgjerimi në Shqipëri nuk është vetëm një lëvizje biznesi, por edhe një mundësi për zhvillim të ndërsjellë. Duke njohur dhe nderuar unikalitetin e çdo kombi, kompanitë mund të kontribuojnë në krijimin e një strukture të fortë dhe të pasur kulturore dhe ekonomike, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar në kohë.
Më frymëzoi veçanërisht ideja për ta shndërruar kulturën tonë ballkanike në një avantazh strategjik biznesi dhe një bazë për bashkëpunime në vitet e ardhshme. Mund të shpjegoni karakteristikat e kësaj qasjeje?
Kjo ide mund të trajtohet nga dy këndvështrime:
- Këndvështrimi i parë: Fuqia e Kulturës Ballkanike
Kultura ballkanike është si një mozaik, plot individualitete të theksuara dhe diversitet. Në epokën moderne, strategjia e bizneseve po rikonceptohet. Digjitalizimi, konsumizmi dhe inteligjenca artificiale kanë çuar në homogjenizimin e tregjeve dhe vlerave, duke krijuar produkte të globalizuara. Megjithatë, ky homogjenizim kërkon një energji të veçantë: identitet dhe diversitet.
Sot, inteligjenca artificiale mbulon nevojat me më shumë efikasitet dhe ekonomi. Gjithçka që mund të analizohet në procese ose të standardizohet, humb vlerën e saj, ndërsa produktet që bazohen te identiteti dhe unikësia fitojnë një rëndësi më të madhe. Ballkani ka këto karakteristika me shumicë. Edhe pse mungesa historike e zhvillimit e ka zbehur këtë avantazh, integrimi evropian dhe dixhitalizimi kanë ndihmuar në nxjerrjen në pah të tij. Ballkani kombinon diversitet kulturor, ide dhe një dëshirë të fortë për zhvillim.
- Këndvështrimi i dytë: Mundësitë e zhvillimit
Ballkani është tani një nga nyjet më premtuese të zhvillimit në Evropë. Teknologjitë që po zhvillohen me shpejtësi e kanë shndërruar rajonin në një fushë zbatimi për projekte moderne evropiane, si infrastrukturat hekurudhore, turizmi, industria ushqimore dhe pasuritë e paluajtshme.
Arkitektura në Ballkan kombinon standardet ndërkombëtare me elemente lokale, duke krijuar struktura unike dhe të gjalla që pasqyrojnë diversitetin historik të rajonit. Bizneset ballkanike duhet të shfrytëzojnë këto karakteristika, duke gjetur vendin e tyre në tregjet globale me dinjitet. Ky model zhvillimi mund të shërbejë si një udhërrëfyes për një prani të fortë dhe të qëndrueshme të Ballkanit në hartën ndërkombëtare të biznesit.
A keni ndonjë plane për Grupin tuaj në të ardhmen e afërt që mund t'i ndani?
Kompanitë e mia tashmë kanë arritur një prani të rëndësishme në tregun rajonal dhe vazhdojnë të evoluojnë. Strategjia jonë kryesore fokusohet në projekte të reja, me prioritet strehimin dhe turizmin.
"Astrit Development," kompania jonë në Greqi, ka shënuar progres mbresëlënës gjatë tre viteve të fundit. Tani jemi gati të prezantojmë në tregun grek projekte zhvillimi që do të sjellin një mënyrë të re dhe inovative zhvillimi, me fokus artin dhe dizajnin. Këto projekte do të jenë bashkëpunime mes projektuesve kryesorë europianë dhe grekë, me synimin për të ofruar një kontribut të rëndësishëm në tregun grek.
Përveç kësaj, kemi investuar ndjeshëm në burimet e gjelbra të energjisë gjatë dekadës së fundit dhe planifikojmë të zgjerohemi më tej në këtë fushë, duke prezantuar ide novatore.
Një mendim i fundit për konceptin e "zhvillimit":
Termi "Zhvillim" në gjuhën moderne të biznesit përdoret për të përshkruar pothuajse çdo aktivitet biznesi që, nën kushte të caktuara, i transformon këto kushte në produkte inovative. Ky term zakonisht mbart një ngarkesë pozitive, pasi buron nga gjuha sociologjike e transformimit pozitiv social dhe kulturor.
"Zhvillimi" gjen zbatim pothuajse në çdo fushë të aktivitetit biznesor sot: në tregun e pasurive të paluajtshme, në industrinë e softuerëve, në teknologji, në industrinë e muzikës dhe, në përgjithësi, në çdo aktivitet që përcakton kreativitetin përmes "zhvilluesit". Por, a është vërtet kështu?
Kur ndërtojmë zona të mëdha banimi pranë vendbanimeve të vjetra që ende ruajnë identitetin e tyre, ose kur marrim procesin e mësimit të gjuhëve të huaja nga mësues të apasionuar dhe e shndërrojmë atë në softuer, ose kur dixhitalizojmë planet e arkitektëve të apasionuar me vlera
filozofike dhe konceptuale për të krijuar aplikacione për projektimin e shtëpive, atëherë çfarë po zhvillojmë realisht?
Kur krijojmë softuer gjeoreferencial ose taksi autonome, duke zëvendësuar shoferë të talentuar që dinin çdo kthesë të një qyteti dhe shërbenin me pasion dhe përkushtim, ose kur ndërtojmë një hotel pranë një ullishteje dhe përdorim siluetën e gjelbër të pemëve si dekor për hotelin, por neglizhojmë fermerët që kanë mirëmbajtur me pasion këto ullishte për shekuj, atëherë çfarë kuptimi ka "zhvillimi"?
Zhvillimi nuk do të thotë thjesht të transformosh diçka duke zbatuar ligjet dhe duke paguar taksa, duke fituar një vend në treg dhe duke matur fitimet. Zhvillimi do të thotë të transformosh diçka duke zbatuar një ligj më gjithëpërfshirës të shoqërisë njerëzore: respektin absolut për çdo identitet, duke krijuar një entitet të ri që nuk shkatërron të vjetrën, por zgjeron hapësirën e mundësive të saj.
Për të mbijetuar këto identitete, nevojitet krenari – diçka që nuk mund të subvencionohet.
Këtu qëndron përgjegjësia e përdorimit të termit "zhvillues". Nuk pretendoj se jam ndryshe nga shumica e kolegëve që transformojnë për të krijuar produkte. Por jam i qartë për këtë:
Asnjë nga produktet e mia nuk ofron zhvillim urban nëse nuk përgjigjet në pyetjet:
• Ku është teatri në hapësirën që zhvillova?
• Ku është artisti dhe zejtarët në atë hapësirë?
• Ku është biologu, filozofi dhe mendimtari në atë hapësirë?
• Ku janë fëmijët dhe shkollat?
• Ku është etnografia dhe gjuha?
Le të mos harrojmë se grekët, gjatë 3,000 viteve të para, i bënë këto pyetje dhe zhvilluan teatrin, filozofinë, shkencën dhe sportin. Le të shpresojmë që brezi i sotëm i "zhvilluesve" të ndjejë përgjegjësinë për këtë model zhvillimi, të cilin ne në Ballkan kemi fatin ta kemi kaq afër nesh.